Siguracion jete për FA që marrin pjesë në misione jashtë vendit

252

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Jeta e ushtarakëve të Forcave të Armatosura Shqiptare të cilët marrin pjesë në misione ushtarake dhe që stërviten jashtë vendit, do të përfitojnë siguracionin e jetës, që do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Këshilli i Ministrave vendosi dhe ngarkoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila në bashkëpunim me bashkimin e operatorëve ekonomikë, të bëjë sigurimin e jetës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që do të marrin pjesë në misione jashtë vendit.

Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SIGURIMIN E JETËS SË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË DËRGOHEN NË MISIONE USHTARAKE DHE STËRVITJE JASHTË VENDIT, PËR VITIN 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me bashkimin e operatorëve ekonomikë “SIGAL LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA”, sh.a., “SICRED”, sh.a., dhe “INSIG JETË”, sh.a., të bëjë sigurimin e jetës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohen në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitin 2018.
  2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2018.
  3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /e.caushi/ 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.