Shpronësohen pronarët që preken nga projekti “Rikonstruksion i pallateve në Xhabije”

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Pronarët e pasurive të paluajtshme në Shkodër të cilët preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i bllokut të pallateve në Xhabije”, do të shpronësohen.

Këshilli i Ministrave vendosi që shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shkodër, dhe se  pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për pasuritë “tokë truall”.

 

Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave


K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I BLLOKUT TË PALLATEVE NË XHABIJE”, BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i bllokut të pallateve në Xhabije”, Bashkia Shkodër.
  2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.
  3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, me sipërfaqe 906.35 (nëntëqind e gjashtë pikë tridhjetë e pesë) m2, dhe “ndërtesë”, me sipërfaqe 354.05 (treqind e pesëdhjetë e katër pikë zero pesë) m2, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 25 706 471.8 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një pikë tetë) lekësh.
  4. Pronarët e përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Shkodër.
  5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 706 471.8 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një pikë tetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj.
  6. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Shkodër.
  7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
  8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Shkodër të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
  9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
  10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale të
  11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.