Sheshi “Skënderbej” vlerësohet në Barcelonë si hapësira më e mirë publike për 2018-ën

737

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Sheshi “Skënderbej” ka marrë çmimin prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018”.

Çmimi u akordua nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës si dhe nga 6 institucione europiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë, ndërsa vlerësimi u bë nga arkitektja Olga Tarraso, e cila kryesonte jurinë e njohur ndërkombëtare.

Sheshi “Skënderbej” u përzgjodh mes 279 projekteve nga 32 vende të ndryshme europiane, ndërsa më parë ishte zgjedhur mes 25 projekteve finaliste. Çmimin e tërhoqi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe përfaqësues të studios projektuese “51N4E”.

Çmimi europian për “Hapësirën Publike Urbane” është një konkurs dyvjeçar i organizuar nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe gjashtë institucionet europiane, me qëllim për të njohur dhe për të inkurajuar projektet e rimëkëmbjes dhe mbrojtjen e hapësirës publike në qytetet tona.

Çmimi u krijua në vitin 2000 dhe këtë vit feston edicionin e tij të dhjetë. Juria Ndërkombëtare e Çmimit Urban të Hapësirës Europiane përzgjodhi 25 punime si finaliste në mesin e 279 projekteve nga 32 vende europiane. Çmimi Europian për Hapësirën Publike Urbane organizohet nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe me partnerët: Muzeu Gjerman i Arkitekturës (Frankfurt); Muzeu i Arkitekturës Finlandeze (Helsinki); Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit (Lubjanë); Fondacioni i Arkitekturës (Londër); Qyteti i Arkitekturës dhe Trashëgimisë (Paris) dhe Qendra e Vjenës e Arkitekturës (Vjenë).

Për këtë sesion u dorëzuan 279 punime nga të cilat: Spanja (52), Portugalia (18), Italia (17), Franca (16), Belgjika (14), Holanda (14), UK (13), Gjermania (12), Polonia (10), Zvicra (10), Rumania (9), Bullgaria (8), Republika Çeke (8), Sllovenia (8), Serbia (7), Ukraina (7), Austria (6), Rusia (6), Danimarka (5), Hungaria (5), Turqia (5), Shqipëria (4), Suedia (4), Kroacia (3), Estonia (3), Irlanda (3), Norvegjia (3), Bosnje dhe Hercegovina (2), Greqia (2), Lituania (2), Luksemburgu (2), Sllovakia (1).

Vlerësimi për sheshin “Skënderbej” ka ardhur pas vlerësimit që ky shesh mori në bienalen e Çikagos 1 vit më parë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.