Pacolli vizitë në Holandë, kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave

157

PRISHTINË, 20 qershor/ATSH/.- Në vazhdim të turneut të tij diplomatik në vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe me qëllimin e sigurimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimit të vendit në Organizata Ndërkombëtare, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës.

Kryediplomati kosovar, Pacolli, së pari është pritur në një takim të veçantë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretësisë së Holandës, nga homologu i tij holandez, Stef Blok.

Në kuadër të këtij takimi dypalësh,  Pacolli falënderoi Ministrin e Jashtëm holandez, Blok, për mbështetjen e vazhdueshme  holandeze në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës; ka shprehur zotimin për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat e interesit reciprok, ndërkohë që ka kërkuar mbështetjen holandeze për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Organizata të tjera Europiane dhe Ndërkombëtare.

“Na nevojitet përkrahja juaj për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare dhe siç e dini, një nga çështjet primare për qytetarët e Kosovës është liberalizimi i vizave. Në lidhje me liberalizimin e vizave, mund t’ju siguroj se të gjitha kriteret janë përmbushur. Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të ishim mirënjohës për mbështetjen e shteteve anëtare në përfundimin e suksesshëm të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht kur është fjala për votimin në Këshillin e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme”, ka thënë kryediplomati kosovar.

Zbatimi i MSA-së; Axhendës Europiane të Reformave; synimi i vendit tonë që të aplikojë për statusin e kandidatit në BE në një të ardhme të afërt; Strategjia e re për Zgjerim e BE-së; Procesi i Berlinit; Samiti i fundit në Sofje e ai i ardhshëm në Londër dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat e tjera të diskutimit.

Në fund, kryediplomati kosovar i ka përcjellë një falënderim të veçantë kryediplomatit holandez për mbështetjen holandeze nëpërmjet programeve të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në diplomaci, sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë atë të sigurisë, si dhe programet e tjera të qeverisë holandeze, që kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.