Arkitektja kosovare Patrisa Pruthi prezanton Kosovën në New York

PRISHTINË, 20 qershor/ATSH/.-Arkitektja kosovare Patrisa Pruthi, studente e dalluar e The Cooper Union School of Architecture, Universitetit më prestigjioz të Arkitekturës në New York, do të prezantojë punimin e saj për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Muzeun e Artit Modern në New York.

Punimi i arkitektes kosovare do të prezantohet në ekspozitën “Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948 – 1980”, që do të hapet nga 15-korrik deri më 13 Janar 2019.

Pjesëmarrja e Arkitektes Patrisa Pruthi, do të thotë shumë për shtetin e Kosovës, meqenëse për herë të parë një monument kosovar prezantohet në një muze prestigjioz si MoMA.

Modeli i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës i përzgjedhur në mesin e shumë monumenteve të tjera nga Ish-Jugosllavia, puna e saj njëvjeçare do të gjejë vend në MoMA nga 10 korriku 2018 deri më 13 janar 2019.

Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980 prezanton për herë të parë punën e jashtëzakonshme të arkitektëve kryesorë të Jugosllavisë socialiste në një audiencë ndërkombëtare.

Ekspozita përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe video nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe muzeve në të gjithë rajonin, si dhe përmban punën e arkitektëve të rëndësishëm, duke përfshirë Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radeviç, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Steriç.

Nga brendësia skulpturore e Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, deri tek rindërtimi i qytetit të Shkupit në bazë të dizajnit Metabolist të Kenzo Tange, si dhe stili unik i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviç, ekspozita shqyrton vargun unik të formave dhe mënyrave të prodhimit në arkitekturën Jugosllave dhe karakterin e saj të veçantë, por shumëdimensional.

Ekspozita është organizuar nga Martino Stierli – Krye-kuratori i Arkitekturës dhe Dizajnit, Philip Johnson, në Muzeun e Artit Modern dhe Vladimir Kulić, kurator i ftuar, Anna Kats, asistente kuratore, Departamenti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Muzeu i Artit Modern./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.