Senegali “gjunjëzon” Poloninë 2-1 dhe kap kreun

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ – Grupi H ka rezultuar grupi i surprizave në këtë Botëror.

Pas fitores 2-1 të Japonisë kundër Kolumbisë, e cila ishte favorite për të fituar këtë takim, ka ardhur edhe fitorja e ekipit të Senegalit, i cili ka befasuar ekipin polak duke e mposhtur me shifrat 2-1.

Pas një loje të balancuar ekipi i Senegalit ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 37, me anë të një autogoli të shkaktuar nga Cionek, i cili devijoi një gjuajtje nga jashtë zone të lojtarit senegalez Gueye.

Pjesa e parë u mbyll në favor të senegalezëve me rezultatin 1-0.

Ndërsa pjesa e dytë filloi me një ritëm tjetër për ekipin e Polonisë, e cila nuk arriti të konkretizonte përpara portës se “gardianit” senegalez, Khadim N’Diaye, diçka të cilën e bëri ekipi i Senegalit.

Në minutën e 60 Mbaye Niang dyfishoi shifrat, duke i komplikuar gjërat për ekipin polak.

Edhe pse ndeshjes duket se i kishte ardhur fundi, Polonia rriti forcën sulmuese me Krychowiak që arriti të ngushtojë rezultatin, por vetëm kaq, pasi Senegali rrëmbeu 3 pikët dhe iu bashkua Japonisë në krye të Grupit G. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.