Policimi në komunitet, Suedia dhuron biçikleta për policinë e Tiranës

TIRANË, 19 qershor/ATSH/- Në kuadër forcimit të policimit në komunitet, 

SCPA (Projekti Suedez), i ka dhuruar Policisë së Tiranës, 10 biçikleta.

Në ceremoni ishin të pranishëm zv-ambasadorja e Suedisë, Birgitta Jansson, drejtori Vendor i Policisë, Kastriot Skënderaj, drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Albert Dervishaj dhe përfaqësues nga fondacioni.

Drejtori Vendor i Policisë, Skënderaj, gjatë fjalës së tij ka shpjeguar të rejat e ristrukturimit të Drejtorisë si dhe ka vlerësuar dhurimin e biçikletave për punonjësit e Policisë së zonave urbane, çka do të sjellë ndihmesë dhe përmirësim në punën e tyre.  “Ne prej kohësh po punojmë me kolegët tanë të projektit suedez, të cilët unë dua t’i falënderoj dhe i uroj mirëseardhjen sot. Kemi bërë shumë punë dhe projekte bashkë, projekte që nuk ka rëndësi vlera e dhurimit, por bashkëpunimi dhe partneriteti i mirë me fondacionin SCPA dhe Ambasadën Suedeze”, tha ai.

Zv-ambasadorja e Suedisë, Birgitta Jansson u shpreh se, “kjo është faza e dytë e projektit të forcimit të policimit në komunitet, dhe kemi akoma shumë punë për të bërë. Ne e shikojmë që projekti që po financojmë është në kuadër të një strategjie edhe më të madhe, asaj të Ministrisë së Brendshme. Më vjen mirë që ky grant i ndërmarrë zhvillon mundësinë në lehtësimin e përdorimit të biçikletave. Para se të vija në pozicionin aktual, kolegia që më zëvendësonte më tha mos ta sillja biçikletën, pasi është e rrezikshme të lëvizësh me të. Vitet e fundit më vjen keq që nuk e kam marrë biçikletën, pasi shoh që është rritur numri i korsive të biçikletave dhe përdoruesit e tyre kanë më shumë siguri në rrugë. Ju uroj sukses në këtë projekt për rritjen e sigurisë në rrugë.”

Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Albert Dervishaj, tha se, “Skema e granteve e realizuar më parë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, dhe atë të Tiranës sot, uroj dhe dëshiroj të shtrihet dhe në Drejtoritë Vendore të qyteteve bregdetare”.

Drejtori Vendor i Policisë, Skënderaj, theksoi se “kemi si prioritetit rritjen e sigurisë për qytetarët dhe jemi në garë për fitimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj Policisë së Tiranës. Nisur dhe nga sondazhet e fundit, policia e Tiranës gëzon dhe fiton besueshmërinë e 62% të pjesës së qytetarëve të saj, dhe ne do vazhdojmë me objektivat tona për rritjen e sigurisë publike dhe forcimit të marrëdhënieve me qytetarët”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.