Ndeshja e Anglisë arrin rekord shikueshmërie në televizion

LONDËR, 19 Qershor /ATSH-ANSA/ –  Harry më shumë se Henry. Më shumë se dy të tretat e telespektatorëve britanikë ndoqën mbrëmë fitoren në minutat e fundit të Anglisë në përballjen ndaj Tunizisë.

Një audiencë edhe më e lartë se dasma e fundit mbretërore. Mediet britanike bëjnë shaka duke nënvizuar se si ndeshja e “Tre Luanëve” arriti të tërheqë më shumë spektatorë (18.3 milionë) sesa dasma e princit Henry me aktoren Meghan Markle.

Është vërtetë mbresëlënëse audienca e regjistruar në ndeshjen e parë të përfaqësueses angleze, e cila pothuajse ka arritur 70% të audiencës së përgjithshme.

Një sukses i papritur që kalon pritshmëritë e fillimit të Botërorit, duke vendosur tashmë një rekord të ri të transmetimit online nga ana e BBC (me shume se tre milionë kontakte).

Brenda pak ditësh kombëtarja e udhëhequr nga Gareth Southgate ka ditur t’i bëjë të gjithë për vete, duke kaluar nga skepticizmi i fillimit në një entuziazëm gjithëpërfshirës./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.