“Smile Albania”, punësim sezonal për të rinjtë. Ja si të aplikoni

622

TIRANE, 18 qershor /ATSH/ -Edhe 1 javë na ndan nga mbylljet e aplikimeve të të rinjve për punësim sezonal në projektin “Smile Albania”.

Mbi 500 të rinjë do të jenë buzëqeshja e mikpritjes për turistët e huaj. Ata do t’u japin informacione turistëve, duke u përpjekur, që ata të shtojnë destinacionet që do të vizitojnë në Shqipëri.

Vendi ynë po tërheq gjithmonë e më tepër vëmendjen e turistëve Europianë dhe jo vetëm. Rritja progresive e numrit të tyre përgjatë viteve të fundit është një tregues i qartë se natyra, pozicioni gjeografik, kombinimi i relievit malor me atë detar apo edhe ushqimi i ofruar janë aspekte që ofrojnë një eksperiencë ndryshe për ata që synojnë të eksplorojnë vendin tonë. Në vazhdim, frekuenca e lartë e artikujve dhe produksioneve televizive nga mediat e huaja për turizmin shqiptar është një tjetër tregues i këtij interesi në rritje nga ana e vizitorëve të huaj.

Të rinjtë “ambasadorët” më të mirë të Shqipërisë

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm të institucioneve shtetërore, shoqërinë civile dhe sektorin privat synon të ofrojë një risi drejt eksplorimit të mundësive për të mbështetur turizmin shqiptar përmes angazhimit të të rinjve. Kjo duke përqafuar një përqasje inovative të transmetimit të informacionit, mikpritjes së turistëve, si edhe punësimit të të rinjve në periudhën e verës, ndërkohë që njëkohësisht do të inkorporojë një model ekologjik dhe komunitar nëpërmjet edhe ndërgjegjësimit mjedisor.

Në periudhën dy mujore, 1 Korrik – 31 Gusht, në të gjithë vendin do të zhvillohet dhe zbatohet një fushatë me angazhimin e një numri vullnetarësh, studentësh dhe nxënësish të shkollave profesionale (mbi 18 vjeç), nën drejtimin e strukturave rajonale të Ministrisë (Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura në çdo qark), në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, për të shpërndarë informacionet e nevojshme dhe sqaruar turistët vendas dhe të huaj.

Projekti do të krijoje një brand të ri dhe do të prodhojë një seri materialesh promovuese e informuese që do te përdoren për këtë fushtë.

Puna e të rinjve

Qëllimi kryesor i projektit është informimi dhe mikpritje e turisteve gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë. Sigurisht që fokusi do të jetë për turistët e huaj por edhe ata vendas do të jenë pjesë e informimit për aktivitetet që do të zhvillohen në periudhën e pushimeve të verës sipas programeve të miratuara dhe në vendet natyrore dhe kulturore që janë pjesë e hartës së atraksioneve turistike. Përveç informimit turistik, aktivistët që do të angazhohen do të jenë pjesë e një ndërgjegjësimi për mjedisin e plazheve e përreth, zona që përballen me presionin e aktivitetit turistik dhe rritjes së pranisë njerëzore.

Objektivat kryesore të këtij projekti janë: Paraqitja e vendit tonë si një destinacion i qëndrueshëm turistik, një vend pushimi i sigurtë, i pastër dhe mikpritës për turistët vendas dhe të huaj. Punësimi i një numri të konsiderueshëm të rinjsh në sektorin e promovimit dhe shërbimeve turistike në Shqipëri.

Cfarë duhet për të aplikuar dhe si aplikohet

Të rinjtë mund të aplikojnë on line në adresën: www.akzm.gov.al/smilealbania/aplikotani

Në adresën e emailit: [email protected]

Si dhe në adresat postare të 12 Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Dokumentacioni i nevojshëm është: 1. Një kërkesë ku të shpreheni se doni të merrni pjesë në këtë projekt, si ku jetoni dhe ku doni të punoni, 2. CV të formatit Europa Pass, 3. Diplomë të shkollës së mesme, ose të shkollës së lartë, ose vërtetim që vazhdoni studimet. 4. Fotokopje të Kartës së Identitetit, 5. Foto të tre muajëve të fundit.

Menaxhimi i punës

Projekti do të ngrejë struktura të përkohshme për menaxhimin e të gjithë situatës në vend. Për organizimin e punës në terren do të ngrihen 7 shtabe rajonale (Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë, Kukës, Korçë) nën drejtimin e Prefektëve dhe koordinim të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, dhe pjesmarrje të disa institucioneve lokale. Shtabet rajonalë do të mblidhen rregullisht në intervale të shkurtra kohe për të aprovour detyrat e punës. Gjithashtu do të jenë të përcaktuara pikat e grumbullimi dhe shpërndarjes, zona mbulimi për grupet e terrenit si edhe organizim ditor përgjatë çdo jave. Ndrkohë do të ketë dhe një komitet drejtues pranë Ministrisë. Ndërkohë do të ngrihen dhe tre kampingje, ku do të strehohen e argëtohen të rinjtë pjesmarrës. Ato do të jenë në Velipojë, Jalë dhe Divjakë-Karavasta. Kampigjet do të ngrihen nga Ecovolis.

Pikat e qëndrimit të të rinjve

Lista me zona dhe vende ku do të ngrihen qëndrat e informimit si edhe kampingjeve, që lidhet me përqëndrimin e punës që do të kryhet në terren terrenit, jepet më poshtë. Pjesmarrësit në këtë fushatë do të kenë pika fikse të dukshme për dhënien/shpërndarjen e informacionit (info point), që do të shërbejnë edhe si vendet ku çdo mëngjes do të merret plani ditor nga personat e angazhuar dhe gjatë ditës do të ketë grupe lëvizëse me programe të miratuara.

Për zbatimin e planit vendet ku do të ketë strukturat e programit (info point) ose qëndra vizitorësh dhe do të mbulohen me prani të aktivistëve do të jenë:

Pikat kufitare të hyrjes së turistëve

  1. Pika kufitare e Morinës (Kosova)
  2. Pika kufitare e Murriqanit (Mali i Zi)
  3. Porti i Durrësit
  4. Aeroporti i Tiranës
  5. Pika kufitare e Qafthanës (Maqedoni)
  6. Porti i Vlorës
  7. Pika kufitare e Kapshticës (Greqi)
  8. Pika kufitare e Kakavijës (Greqi)
  9. Porti i Sarandës

Plazhet/qytetet ku ka prezencë të madhe turistësh

  1. Plazhi i Velipojës
  2. Plazhi i Shëngjinit
  3. Gjiri i Durrësit (Ura e Dajlanit)
  4. Gjiri i Durrësit (mbikalimi në Plepa)
  5. Lungomare e Vlorës (tek Skela)
  6. Zona e Rradhimës (qendër vizitorësh)
  7. Llogora (qëndër vizitorësh)
  8. Plazhi i Dhërmiut (tek kthesa e rrugës kryesore)
  9. Porto Palermo
  10. Plazhi/qytetit i Himarës e zonat përreth
  11. Zona e Ksamilit (tek Parku)
  12. Tushemisht

Vënde jashtë zonës bregdetare/malore

  1. Qyteti i Shkodrës
  2. Parku i Thethit (qëndër vizitorësh)
  3. Parku i Valbonës (qëndër vizitorësh)
  4. Qyteti i Beratit
  5. Sheshi para Bashkisë Durrës
  6. Qyteti i Pogradecit
  7. Qyteti i Sarandës
  8. Qyteti i Përmetit (qëndër vizitorësh)
  9. Qyteteti i Gjirokastrës (qëndër vizitorësh)

Vendet e kampingut

Për qëndrimin e njerëzve që do të angazhohen në këtë fushatë por edhe për aktivitete të ndryshme do të ngrihen vendqëndrime me tenda pranë pikave ku ofrohen edhe shërbime të tjera (ujë, tualete, sheshe të lira, etc.)

Në zona të tjera

  1. Zyrat e ZM në Velipojë
  2. Zyrat e ZM në Divjakë
  3. Plazhi i Jalë-s

/e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.