SHKUP – Media ndërkombëtare përshëndet marrëveshjen Greqi-Maqedoni

117
SHKUP, 18 qershor /ATSH-MIA/ Pas gati 27 viteve, një nga mosmarrëveshjet më të rënda në Ballkan ka përfunduar në bregun e Liqenit të Prespës, me nënshkrimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë duke paralajmëruar zyrtarisht epokën e re të paqes, shkruan sot gazeta britanike “The Guardian”.
”Kjo është ditë historike për rajonin, i cili prej një kohe të gjatë ishte zhytur në politikën e armiqësisë. Kryeministrat e dy shteteve fqinje deklaruan se mosmarrëveshja rreth emrit të Maqedonisë më në fund ka mbaruar”, shkruan gazeta.
“The Guardian” komenton edhe se dokumenti i nënshkruar e fshin edhe gjurmën e fundit të Jugosllavisë së vjetër.
Gazeta britanike “The Indipendent” thekson se ceremonia e Liqenit të Prespës u mbajt pasi kryeministri grek Aleksis Cipras i mbijetoi mocionit të mosbesimit.
Gazeta thekson se pas nënshkrimit nga ministrat e Punëve të Jashtme  të  dy vendeve, tani marrëveshja do të duhet të miratohet edhe nga parlamentet, ndërsa në Maqedoni do të ketë referendum.
“The Indipendent” shton se dokumenti është pritur me protesta në dy vendet.
“The Daily Telegraph” komenton se me nënshkrimin e marrëveshjes i është dhënë fund mosmarrëveshjes që pengonte përmirësimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Maqedonisë që nga viti 1991.
Gazeta thekson se kjo mosmarrëveshje është një nga më afatgjatat në botë, që filloi para 27 viteve me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, por rrënjët i ka para shumë shekujve.
“The Daily Telegraph” komenton se dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, të cilët kanë lindur në vitin 1974 dhe kanë disa muaj dallim, nuk u gjunjëzuan para reagimeve të fuqishme armiqësore në vendet e tyre.
“Shkupi shpreson të marrë një datë për fillim të bisedimeve për anëtarësimin në BE në samitin që do të zhvillohet në fund të muajit si dhe ftesë për hyrjen në NATO në mes të korrikut”, shkruan gazeta.
Gazeta amerikane “The New York Times” nënvizon se dokumenti i nënshkruar hap rrugën për zgjerim të BE-së dhe NATO-s. Gazeta shton se edhe krahas nënshkrimit të marrëveshjes nga dy anët e kufirit, kishte kundërshtime të ashpra.
“Financial Times” shkruan se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ishte përkeqësuar me protesta.
Gazeta gjermane “Der Spiegel” komenton se Ciprasi shpreson se me këtë marrëveshje do të pranohet si politikan i rangut ndërkombëtar dhe se dëshiron të hyjë në librat e historisë si njeri, i cili ka zgjidhur një problem kombëtar, që më shumë se katër dekada qeveri të ndryshme nuk kanë mundur ta  zgjidhin.
Pjesa më e madhe e mediave perëndimore e vlerësojnë marrëveshjen e nënshkruar si historike./ /ec/  a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.