Meta i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit shqiptar në Lojrat Mesdhetare

TIRANË, 18 Qershor/ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar ekipit shqiptar, pjesëmarrës në Lojrat Mesdhetare “Tarragona 2018”, që do të mbahen në Spanjë

Presidenti Meta i dorëzoi Flamurin Kombëtar kampionit të Ballkanit dhe Evropës në kërcimin së gjati, atletit Izmir Smajlaj. 

Meta shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin serioz në përgatitjen e delegacionit sportiv, për këtë event kaq të rëndësishëm. “Ju uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat dhe ndeshjet ku ju do të garoni”, theksoi Meta.

“Sporti është një element i çmuar që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm. Suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi e flamurit kombëtar në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në Spanjë. Uroj që sportistët që përfaqësojnë ekipin e Shqipërisë të arrijnë rezultate të larta e sa më shumë medalje në këtë Vit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, tha Presidenti Meta.

Kampioni Izmir Smajlaj u shpreh se “është nder dhe krenari për mua të mbaj flamurin kombëtar. Uroj të marrim sa më shumë medalje”.  /gj.mima/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.