Kosovë- OAK dhe AKP, bashkëpunim konkret për tërheqjen e investimeve të huaja

125

PRISHTINË, 18 qershor/ATSH/.- Tërheqja e investimeve të huaja në Kosovë duhet të bëhet përmes ofertave dhe mundësive konkrete për palët e interesuara.

Kështu u theksua sot në takimin që përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës patën me përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit , në të cilin u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit dhe sigurimi i informacioneve të nevojshme në lidhje me tokat që AKP ka në dispozicion për investitorët dhe palët e interesuara.

Kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi, tha se gjatë takimeve që Oda e Afarizmit të Kosovës po zhvillon me investitorë vendas dhe të huaj është duke parë mundësinë e tërheqjes së tyre në Kosovë dhe për të bërë një gjë të tillë nevojitet t’iu prezantohen ofertat dhe mundësitë konkrete palëve të interesuara.

Ai po ashtu tha se OAK-ut i nevojitet informacion konkret nga AKP-ja në lidhje me sipërfaqet që kjo agjenci i ka në dispozicion në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë sipërfaqet bujqësore dhe objektet.

Ndërsa, drejtori për Koordinim Rajonal pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit Petrit Ibraj theksoi se problematikë kryesore janë kufizimet që janë të rregulluara me udhëzimet e brendshme kur kohëzgjatja e kontratave të qiradhënies është vetëm 6 muaj deri në 1 vit maksimumi, pasi ligji nuk e lejon ndryshe.

Ai tha se AKP ka një listë të aseteve të pa shitura ku përfshihen edhe tokat bujqësore dhe informatat e nevojshme do të përcjellin tek OAK.

Me këtë rast OAK do të krijojë një pikë kontakti me sektorin e AKP-së, ku të gjithë anëtarët do të mund të drejtohen me kërkesat specifike dhe do të sigurohet një përgjigje e shpejtë.

Ibraj theksoi se sipas vendimeve të bordit, AKP-ja nuk mund të negociojë direkt me investitorët, por me kërkesën e investitorit, sipërfaqen apo objektin e caktuar, brenda një afati dymujor mund ta vendos në valën e privatizimit.

Gjatë këtij takimi OAK dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit u pajtuan që të ofrojnë mundësi bashkëpunimi reciprok mes të dyja palëve./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.