Lura me rrugë të re

TIRANE, 16 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të investojë për ndërtimin e rrugës që të çon në Lurë.

Gjatë takimit me banorët e kësaj zone në prezantimin e projektit për zhvillimin e Lurës, Rama tha se “duke pas një rrugë që është një skëterrë e vërtetë e për më tepër dhe distanca kaq të gjatë në tregu më të parë, sa I kushton një familje që jeton në një situatë të tillë që të investojë mundin dhe djersën e vet për të prodhuar domate dhe patate apo qepë dhe për të dalë deri poshtë në treg. Kush është ai sipërmarrës apo kompani e një pikë grumbullimi që do të merrte aventurën që të organizonte automjete për të ardhur deri këtu dhe për të mbledhur ato pak prodhime që mund të ishin. Askush”.

“Patjetër që këtu vijnë edhe turistë. Por janë shumë pak për të pretenduar këtë që po flas.  Ne duhet të investojmë për rrugët. Dhe kjo na bëhet kafshata e dytë e madhe për buxhetin se qenka e thënë që kafshatat e mëdhaja t’i gëlltisim këtu në Dibër. Rruga e Arbrit është e bukur për tu thënë, shumë e bukur për tu bërë por është një kafshatë shumë e madhe për tu gëlltitur nga buxheti i shtetit”, tha ai.

Ai shtoi se edhe kjo rrugë është e bukur për tu thënë por nuk është kafshatë e lehtë sepse kërkon një fond të konsiderueshëm dhe sigurisht që ajo që kthehet mbrapa është shumë  e madhe po ashtu. “Por ne nuk do ta lëmë rrugën pa e bërë”, u premtoi Rama banorëve të zonës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.