TEL-AVIV – Transmetim i paprecedent në arabisht i ndeshjes Rusi-Arabia Saudite nga televizioni shtetëror izraelit

TEL-AVIV, 15 qershor /ATSH-ANSA/ – Televizioni shtetëror izraelit, me një veprim të paprecedent, transmetoi jo vetëm në hebraisht, por edhe në arabisht ndeshjen hapëse të Botërorit 2018 mes Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Transmetimi në arabisht u realizua nga dy specialistë futbolli, Ahmed Wahab dhe Jawdat Odeh, të dy qytetarë arabë.

Stacioni shtetëror televiziv izraelit njoftoi para fillimit të botërorit se do të transmetonte falas, në arabisht, ndeshjet e botërorit për të gjithë telespektatorët e botës arabe.

Po dje, si një gjest tjetër çtensionimi drejt vendeve fqinje, Ministria e Jashtme izraelite publikoi një mesazh urimi për ekipin kombëtar të Arabisë Saudite./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.