Stuhia Ronaldo

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Pas qetësisë vjen gjithmonë stuhia, kështu thonë spanjollët, por për Spanjën ajo që po afron është stuhia Cristiano Ronaldo.

Megjithëse për dy javë pati tensione me drejtuesit e “Realit” përsa i takon të ardhmes dhe pagës së tij, si dhe problemet me organet tatimore të cilat e akuzojnë për evazion fiskal, të enjten ai doli në fushën e stërvitjes me një buzëqeshje, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Asnjë shenjë e zemërimit të mundshëm dhe gjithashtu, asnjë shenjë e presionit që lojtarët kanë zakonisht përpara Kupës së Botës.

Ai komentoi nga stadiumi olimpik “Fisht”, me pamje të mrekullueshme nga deti, se nuk kishte interes tjetër, përveçse të shkonte drejt e në stërvitje. Ai dëshiron ta fillojë mirë Kupën e Botës, një garë për të cilën është i bindur se Portugalia do ta fitojë.

Ronaldo ka shënuar vetëm tre gola në kupat e botës dhe ka luajtur 13 ndeshje, numra që nuk janë në përputhje me karrierën e tij, duke e bërë kështu edhe më të rrezikshëm.

“Ai është udhëheqësi ynë, një kapiten i madh dhe ne e dimë se do ta shfaqë veten si i tillë”, – tha të enjten Fernando Santos, trajneri i përfaqësueses portugeze.

Portugalia i lejoi mediet të shihnin vetëm 15 minutat e para të stërvitjes, por kjo ishte kohë e mjaftueshme për kamerat për të kapur Ronaldon duke e parë të shfaqej pothuajse i përsosur. Tre gola – një me kokë, një me të djathtën dhe një me të majtën. Përqendrimi ishte maksimal, konkurrenca maksimale, shfaqje tipike të Ronaldos.

Ai është gati për betejë dhe Spanja duhet të përgatitet të përballojë stuhinë Ronaldo.

/marca/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.