SMARTFONË – “App Store” regjistron 170 miliardë shkarkime dhe 130 miliardë dollarë xhiro

KALIFORNI, 15 qershor /ATSH/ – Dyqani i aplikacioneve të “Apple” që njihet si “App Store” ka realizuar 170 miliardë shkarkime dhe më shumë se 130 miliardë dollarë xhiro që kur faqja e statistikave për aplikacionet në telefon “App Annie” filloi të analizojë të dhënat në korrik 2010.

Kjo është shifra më e plotë në lidhje me performancën e përgjithshme të dyqanit virtual të “Apple”.

Sipas këtyre statistikave një përdorues “iPhone” ka mesatarisht më shumë se 100 aplikacione të instaluara dhe përdor në muaj rreth 40 prej tyre.

Shumica e shkarkimeve dhe të të ardhurave vjen nga Azia, Europa dhe Amerika të cilat janë gati barazim në shkarkime, por amerikanët shpenzojnë gati dyfishin në raport me tregjet e tjera.

SHBA-ja është tregu më i madh për sa i përket shkarkimeve dhe shpenzimeve, duke ia kaluar edhe Kinës.

Në përgjithësi, pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga lojërat, rreth 75%, ndonëse përfaqësojnë vetëm 31% të shkarkimeve.

Aktualisht ka rreth dy milionë aplikacione dhe lojëra në “App Store” dhe lajmi i mirë për “Apple” është se ky sektor vazhdon të rritet.

“App Annie” parashikon se për vitin 2022 xhiroja vjetore e “App Store” do të arrijë 75,7 miliardë dollarë, një rritje me 80% në raport me të dhënat e vitetit 2017. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.