Sigurimi i bujqësisë i hap rrugë rritjes së kreditimit nga bankat në këtë sektor

TIRANË, 15 qershor /ATSH/- Sigurimi i prodhimit bujqësor, do t’i hapte rrugë rritjes së kreditimit nga bankat në këtë sektor.

Edvin Libohova sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve në Shqipëri, njëherazi ekspert i ekonomisë, u shpreh në një intervistë për ATSH-në, se bujqësia është sektori që mban  peshën më të rëndë të dukurive natyrore, ndaj dhe përfshirja e bujqësisë në skemat e sigurimit është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për ekonominë fermere por edhe pse  ky sektor ka dëshmuar tashmë se është motorri i ekonomisë shqiptare.

Sigurimi në bujqësi aktualisht është i vështirë për shkak të primeve të larta, që janë të papërballueshme për fermerët, ndaj në këtë kontekst, shpjegon Libohova, kemi nisur diskutimin bashkë me të gjithë aktorët e linjës, për të parë përvojën e këtij tregu në vendet fqinjë, kryesisht të lidhura me sigurimin e  bujqësisë dhe turizmit, si modele që mund të implementohen në vendin tonë.

Ndryshimet klimaterike dhe prodhimi bujqësor në rritje, ka sjellë për fermerët nevojën që të shohin drejt policave të sigurimit.

Ndërkohë që edhe institucionet financiare janë më të interesuara për të kredituar fermerë që kanë të siguruar prodhimin e tyre sesa për fermerë që nuk janë të siguruar, thotë Libohova, sipas të cilit, një nga alternativat e zgjidhjes për momentin mund të jetë subvencionimi nga qeveria i këtyre produkteve të sigurimit. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.