MJEKËSI – AstraZeneca dështon sërish në fushën e kërkimeve për Alzhaimerin

LONDËR, 15 qershor /ATSH-AFP/ – Laboratori i njohur farmaceutik britanik, AstraZeneca njoftoi dështimin e një kure tjetër kundër Alzheimerit, që po kryente me kompaninë amerikanen Eli Lilly, një tjetër dështim në fushën e kërkimeve mjekësore për këtë sëmundje.

Grupi sqaroi në një deklaratë se testimi në fazën e tretë të një medikamenti kundër sëmundjes së Alzheimerit, lanabecestat, ka dështuar, duke vendosur në këtë mënyrë ndërprerjen e zhvillimit të këtij trajtimi.

«Ky rezultat na trishton, ndërsa hulumtuesit tanë kanë punuar pa ndërprerje për të arritur një zgjidhje në favor të shumë personave të prekur nga kjo sëmundje shkatërrimtare», shprehet Menelas Pangalos, një drejtues i laboratorit britanik.

AstraZeneca sqaroi se do të vërë në dispozicion të komunitetit të shkencëtarëve të gjitha konkluzionet, pasi është e rëndësishme gjetja e një kure kundër kësaj sëmundjeje.

«Problemet nga sëmundja e Alzheimerit renditen në mesin e sfidave më të vështira për mjekësinë e sotme dhe jemi të zhgënjyer për miliona individë të prekur”, u shpreh Daniel Skovronsky për Eli Lilly.

Ky është një dështim i ri në kërkimet mjekësore në përftimin e një kure kundër kësaj sëmundjeje, shënuar së fundmi nga dështimi i testeve klinike dhe mbyllja e disa laboratoreve si Pfizer, janarin e kaluar.

Elli Lilly, bioteknologjia zvicerane Axovant, amerikani Merck si dhe zvicerani Roche kanë dështuar gjithashtu edhe ato.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 36 millionë persona në botë janë të prekur nga demenca (dëmtim i funskionimit të trurit), përfshirë një pjesë të madhe nga sëmundja e Alzheimerit.

Ky numër pritet të dyfishohet deri në vitin 2039 dhe të trefishohet deri në 2050, në 115,4 milionë nëse nuk zbulohet asnjë kurë e efektshme në vitet e ardhshme./  /vb/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.