Mbrëmje kulturore në kujtim të aktorit të madh Aleksander Moissi

TIRANË, 15 qershor/ATSH/-Trashëgimia është kthyer tashmë në një simbol të lidhjeve të ngushta tradicionale kulturore midis Austrisë dhe Shqipërisë.

Nën moton ”Të rizbulojmë të përbashkëtat“, viti i përbashkët i Kulturës Austri- Shqipëri  vazhdoi serinë e aktiviteteve kulturore ne Vjenë, kësaj radhe me një aktivitet të veçantë, kushtuar aktorit të madh të skenave austriake dhe europiane, Alekander Moissiu.

Me mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm me Theater Museum dhe ndihmën e studjuesit , Pjeter Logoreci, ambasada Vjenë bëri të mundur ekspozimin për herë të parë për publikun e gjerë, të 15 objekteve personale të aktorit Moissiu.

Ambasada Shqiptare në Vjenë e konsideron përkujtimin e figurës së jashtëzakonshme të aktorit me origjinë shqiptare, jo vetëm  si një shikim në të shkuarën por mbi të gjitha  burim frymëzimi për brezat e rinj.

Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga komuniteti shqiptar në Austri, si dhe miq e artdashës austriak.

Të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Theater Museum Dr. Thomas Trabitsch, Drejtore e Departamentit të Kulturës në Ministrinë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Ambasadore Teresa Indjein dhe Ambasadori Roland Bimo. Për jetën dhe veprimtarinë e aktorit të madh Aleksandër Moisiu, fjalën e mbajti studjuesi Pjeter Logoreci.

Një nga veçoritë e kësaj mbrëmje kulturore ishte edhe pjesëmarrja e artistëve shqiptarë Janela Nini (Violinë) dhe Franz Gjoni (Kitare), të cilët lanë mbresa të thella tek publiku pjesëmarrës për interpretimet e tyre me nivel të lartë artistik ./a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.