Vëllazëria jonë qindravjeçare fetare, bekimi më i madh në histori!

114

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ – “Lexo dhe hiq dorë nga dhuna”, janë dy urdhëresa të qarta të Islamit që Princi Ghazi i Jordanisë shtjellon në librin e tij “Drejtësi dhe dashuri”, një bashkëbisedim islamo-kristian.

Me këto urdhëresa e nisi fjalën Kryeministri Edi Rama në sofrën tradicionale të Iftarit të shtruar në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

“Padyshim këto urdhëresa nuk i vlejnë vetëm myslimanëve apo edhe të krishterëve, por kujtdo, kudo, kurdo, ashtu sikundër sofra e Iftarit këtu në Shqipëri nuk është një hapësirë ekskluzive për vetëm ata që agjërojnë, por e kujtdo, kudo dhe kurdo që merr një ftesë dhe bën një ftesë në emër të parimit të madh të dashurisë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “prania e kësaj sofre të posaçme është e nuancuar këtu në Shqipëri njësoj si fjala dashuri në Kuran me 50 shfaqje të saj, paçka se leximi si i tillë i kësaj pranie mua më duket një ushtrim jo real”.

“Vëllazëria jonë qindra e qindra vjeçare fetare është ndoshta bekimi më i madh që historia, pasi na rrahu me vajin e sprovave dhe me uthullën e zhgënjimeve, na la si melhem për plagët e gjithëfarshme të bashkëjetesës jo të lehtë ndër shqiptarë”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se, një gjë besoj është e sigurt: pa këtë vëllazëri kyçe në zemërekun e kombësisë sonë, çelësi që hap dyert e kobeve më të tmerrshme do të ishte gjetur me kohë mes nesh me duart e mbrapshta.

Duke folur për organizatën terroriste islamike Isis, Rama tha se “partnerëve tanë, sidomos atyre europianë në hapësirat e begata ku ata jetojnë mbi vlera dhe parime lavdiplota, urrejtja dhe përdhosja e Islamit po u kërcënon ëndrrën e jetësuar të lirisë dhe demokracisë duke zgjeruar radhët ende të ngushta, por jo më fatkeqësisht të padukshme të islamofogëve dritëshkurtër dhe mendjezbrazur”.

“Ky është një alarm që mbërrin këtu mes nesh, ku Islami i së ardhmes paqësore dhe i përputhur me vlerat e të jetuarit së bashku ekziston si një dhuratë që duhet mbrojtur dhe trashëguar si një amanet i shenjtë dhe duhet mbrojtur njëkohësisht me të njëtën forcë, nga vandalët e errësirës ku ngjizet fryma shkatërruese e radiklaizmit islamik dhe nga vandalizmi i injorancës së shoqërisë së konsumit dhe politikës së konsumit”, – theksoi Rama, duke shtuar, ashtu siç thonë dy urdhëresat: “Hiq dorë nga dhuna në Islam dhe lexo”.

Kryeministri tha se “çka Isis i ofronte ithtarëve të tij ishte dhunë dhe vdekje, por Isis po vdes dhe vetë më në fund”.

Kryeministri Rama foli edhe për ekspozitën e çelur para disa javësh në Vilën 31 në Tiranë, në kuadër të vitit të Skënderbeut.

“Kjo ekspozitë e rralllë dhe për shumë kohë e vështirë për t’u përsëritur e dorëshkrimeve më të moçme dhe traditave shpirtërore dhe filozofike të ruajtura në Arkivën tonë Qendrore të Shtetit u vizitua nga mbi 20 mijë vizitorë në pak ditë. Ata panë me sytë e tyre se si shqiptarët kanë krijuar dhe ruajtur perlat e etikës dhe të estetikës shpirtërore”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se “tek hynin në ish-shtëpinë e diktatorit, si për të marrë aromën prej një honi të zi kujtese që ai e la pas, askush prej vizitorëve në fakt nuk priste të dilte i ndriçuar nga mrekullia e qetë dhe ngadhënjyese e këtyre dorëshkrimeve”. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.