Thaçi-Haradinaj: Të bashkuar në jetësimin e mesazheve për paqe dhe tolerancë

203

PRISHTINË, 14 qershor/ATSH/ – Krerët e shtetit të Kosovës uruan sot besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Presidenti Hashim Thaçi në një postim në “Facebook”, shkruan se “pas Muajit të Shenjtë të Ramazanit, një muaji me përplot përkushtim, adhurim, devotshmëri dhe fisnikërim shpirtëror, vjen edhe festa e Fitër Bajramit. Besimtarëve myslimanë u uroj këtë festë, duke iu uruar sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e tyre!”

“Qytetarët tanë, pa dallime etnike dhe fetare, çdoherë e më shumë po i forcojnë dhe kultivojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes”, thekson Thaçi.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në urimin e tij shprehet se “në këtë festë, që përhapë frymën e përmbushjes së qëllimit të sakrificës, uroj të jemi të bashkuar në jetësimin e mesazheve për paqe dhe tolerancë, për ta ruajtur besimin në vlerat kulmore”.

/k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.