SHISH dhe Shërbimi i Jashtëm, bashkë për forcimin e sigurisë kombëtare

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ – Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Shërbimi i Jashtëm shprehën angazhimin në forcimin e sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Përfaqësues të Shërbimit Informativ të Shtetit morën pjesë në takimin informues me diplomatët e rinj të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ndër të tjera, diplomatët u njohën edhe me mesazhin e zëvendësdrejtorit të SHISH-it,  Helidon Bendo, i cili vlerësoi punën e dy institucioneve, si partnerë të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave kombëtare.

“Uroj që bashkëpunimi ynë i deritanishëm të marrë vlerë të shtuar edhe me kontributin tuaj. Vit pas viti, Shqipëria e ka rritur besueshmërinë e saj pranë partnerëve
strategjikë, si një aktor i konfirmuar përkundrejt sigurisë së NATO-s dhe Bashkimit Europian”, – tha Bendo.

Në këtë kuadër, ai theksoi se “orientimi i Shqipërisë është shumë i qartë, përkrah aleatëve strategjikë, me të cilët ndajmë vlera të përbashkëta”.

“Megjithatë, sfidat tona mbeten të mëdha, ndërsa koncepti i sigurisë kombëtare tashmë ndryshon e shtrihet edhe përtej përcaktimit klasik. Në këtë drejtim, bashkëpunimi mes Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Shërbimit të Jashtëm merr një rëndësi të veçantë”, – tha ai, ndërsa siguroi diplomatët për bashkëpunimin dhe ndihmën e pakursyer të komunitetit të inteligjencës. /m.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.