KINEMA – Stallone objekt i një hetimi për agresion seksual

LOS ANXHELES, 14 qershor /ATSH-AFP/ – Prokurorët amerikanë filluan një hetim për të përcaktuar nëse ylli i filmave aksion, Sylvester Stallone do të hetohet për lidhje me një agresion seksual, të sinjalizuar vitin e kaluar.

“Një çështje u paraqit sot nga policia e Santa Monicas përsa i përket Sylvester Stallones”, theksoi Greg Risling, zëdhënës i prokurores së Los Anxhelesit, Jackie Lacey.

“Ajo është shqyrtuar nga ekipi ynë i specializuar në krimet seksuale”, shtoi ai.

Çështja përfshin një grua që ka konfirmuar në muajin nëntor se aktori 71-vjeçar, i njohur për rolet e tij në sagat e filmave aksion “Rocky” dhe “Rambo”, e kishte sulmuar në vitet 90.

Risling ka refuzuar të japë më shumë detaje mbi rrethanat e këtij agresioni të dyshuar.

Policia e Santa Monicas dhe avokati i yllit, Martin Singer nuk kanë bërë asnjë koment për këto informacione.

Këto akuza u bënë në rrjedhën e lëvizjes “MeToo” që ka kthyer vëmendjen e mbarë botës tek dhuna seksuale në Hollywood dhe gjetkë.

Në dhjetor, Singer kishte deklaruar për median amerikane se klienti i tij i hidhte poshtë në mënyrë kategorike këto akuza dhe se ishte i qartë se kjo grua kishte bërë një raport që historia e saj të publikohej në media./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.