Harmonia e mrekullueshme ndërfetare, të udhëheqë shoqërinë tonë

122

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Bajramit të Madh.

“Në këtë prag feste të madhe e gëzimi për ju dhe familjet tuaja, pas një Muaji të Shenjtë agjerimi, plot sakrifica e mundim, përkushtim e respekt ndaj besimit në Zot, ju shpreh urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta: Gëzuar Festën e Bajramit të Madh!” – shkruan Meta, në rrjetin social “Facebook”.

Kreu i shtetit shprehet se “dita e shenjtë në kalendarin Islam, uroj të na gjejë më të paqtuar, më tolerantë e më solidarë mes nesh! Mirëkuptimi, pranimi i tjetrit, harmonia e mrekullueshme ndërfetare dhe dashuria njerëzore, uroj të udhëheqin shoqërinë tonë për më shumë zhvillim e begati”.

“Bajrami i Madh është dita kur besimtarët myslimanë shfaqin vlerat dhe virtytet më të mira të besimit Islam por edhe të traditës së shqiptarëve, respektin e përkushtimin ndaj familjes, pranimin e të tjerëve, dhembshurinë e përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë, të pamundurve, të sëmurëve, jetimëve, të braktisurve dhe të moshuarve, duke iu gjendur pranë plot mirësi e bujari!”, përfundon Presidenti Meta. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.