Veseli: Eurodeputetët mbështesin heqjen e vizave për Kosovën

PRISHTINË, 13 qershor/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës në Strasburg zhvilloi sot takime të ndara me eurodeputetë të forcave të ndryshme politike dhe njëherësh raportues për vende të ndryshme të Ballkanit.

Veseli, në Parlamentin Europian zhvilloi takime të veçanta me zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Rainer Wieland, me kryesuesin e AFET, njëherësh Raportues për Serbinë, David McAllister, udhëheqësin e Delegacionit për BiH dhe Kosovën, Tonino Picula, udhëheqësin e grupit politik Social Demokrat (S&D) në Parlamentin Europian, Udo Bullmann.

Në këto takime u diskutua për proceset në të cilat po kalon Kosova në rrugën drejt integrimeve europiane, me fokus angazhimet e institucioneve në procesin e liberalizimit të vizave.

Më pas, Veseli zhvilloi takime edhe me eurodeputetët Andrey Kovatchev, Asim Ademov dhe me Angel Dzambaski.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Veseli i njohu eurodeputetët me arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe përkushtimin institucional për të çuar përpara perspektivën euro-atlantike.

Edhe në këtë takim kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi se populli i Kosovës pret që brenda vitit t’i mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen.

Anëtarët e Parlamentit Europian, nga ana e tyre, shprehën kënaqësinë për përparimet në Kosovë dhe e falënderuan kryeparlamentarin Veseli për vizitën në Strasburg, si dhe për prezantimin e përparimeve që ka shënuar Kosova në rrugën e reformave europiane, me theks të veçantë në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave. /Kosovapress/k.s//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.