RUSI 2018: Spanja nuk ndryshon objektiv: fitimi i Botërorit

237

TIRANË, 13 qershor/ATSH-ANSA/ “Unë nuk mund të ndryshoj çdo gjë, shumica e stafit është me ne, ndeshja me Portugalinë është afër. Ne duhet të përdorim inteligjencën dhe koherencën, dhe ta dini se nuk mund t’i hedhim të gjitha poshtë.” Këto janë fjalët e para të Fernando Hierros, trajnerit të ri të Spanjës, në një konferencë për shtyp në Krasnodar, ku ai u shfaq së bashku me presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales.

“Kam qenë i pranishëm në sesionin e sotëm të stërvitjes, – thotë Hierro, – dhe në dy ditë nuk mund të ndryshojë asgjë. Udhëtimi ynë në ndeshjet kualifikuese ishte fantastik dhe do t’i kërkojmë lojtarëve që të bëjnë të njëjtën gjë edhe këtu”.

Pyetjes se çfarë mendimi kishte për faktin se shumë lojtarë donin që Lopetegui të mbetej në drejtimin e përfaqësueses, Hierro iu përgjigj se do të shihte të nesërmen dhe se “… u thashë atyre (lojtarëve) se mua mund të më shikoni të gjithë në sy. Nuk ka justifikime për të mos ndjekur objektivin për të cilin ne jemi këtu. Ata të gjithë e dinë se kemi një mundësi e madhe, kemi ardhur këtu për të luftuar për të: titulli botëror”.

Spanja do të përballet këtë të premte në Soçi me Portugalinë, në ndeshjen e parë dhe më të rëndësishme të grupit B.

Kjo ndeshje midis dy ekipeve të njohura iberike fillon në orën 20.00 (me orën e Shqipërisë) dhe do të gjykohet nga gjyqtari italian Gianluca Rocchi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.