Marrëveshje për mënjanimin e ujërave të zeza në Kosovën jugperëndimore

PRISHTINE, 13 qershor /ATSH/ -Sot është nënshkruar marrëveshja Grant “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën jugperëndimore – FAZA V”.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave Bedri Hamza në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe nga udhëheqësi i zyrës së KfW René Eschemann në emër të Bankës Gjermane për Zhvillim, si dhe nga Kryeshefat e Kompanive Regjionale të Ujësjellësve të Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.

Ministri Hamza tha se marrëveshja e ngriti shumën e parave në nivel prej 86 milionë euro, të cilat janë grante të institucioneve të Gjermanisë.

“Përveç si shumë e madhe, kontributet e Gjermanisë janë mjaft kualitete që ndikojnë në sektorin e energjisë, arsimit, ujit dhe ujërave të zeza. Kjo është një fazë e re e cila do t’i mundësojë kompanive rajonale klasifikimin e ujërave të zeza”, tha Hamza.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, i cili tha se mbeten të angazhuar për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm, dhe ky grant i sotëm është tetë milionë euro.

Ai tha se këto projekte nuk janë të rëndësishme veç për këto tre komuna, por për të gjithë Kosovën, sepse kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Ambasadori Heldt ka përgëzuar Kosovën për qasje pro aktive për sektorin e ujërave. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.