Kontrolli mbi prodhimet bujqësore, Rama: Më i fortë se kurrë më parë

190

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ – Prodhimet bujqësore shqiptare nuk janë problematike përsa i përket nivelit të përdorur të mbetjeve kimike.

Tregues për sigurinë e këtyre produkteve për kreun e qeverisë, Edi Rama është niveli i lartë i eksporteve që ka vendi ynë në vendet e BE-së si dhe analizat e bëra, kanë treguar se këto produkte janë brenda standardeve të lejuara.

Sipas kreut të qeverisë asnjë produkt bujqësor shqiptar i eksportuar këtë vit nuk ka rezultuar mbi normën e lejuar të mbetjeve kimike.

“Prodhimet bujqësore shqiptare problematike?

Një shembull: Vetëm një kompani shqiptare, ka grumbulluar dhe eksportuar deri tani mbi 6000 tonë domate e kultura të tjera bujqësore, në 12 vende të Bashkimit Europian dhe analizat e kanë nxjerrë përqindjen e mbetjeve kimike në domaten shqiptare e në të tëra kulturat e tjerat, nën normën e lejuar nga BE-ja.

Dhe e dyta, asnjë, absolutisht asnjë produkt bujqësor shqiptar i eksportuar këtë vit në vendet e BE-së, nuk ka rezultuar mbi normën e lejuar të mbetjeve kimike në hapësirën europiane”, – thekson Rama.

Duke u ndalur te problemi i sigurisë ushqimore dhe pesticidin, Kryeministri theksoi se ky problem ka ekzistuar, por sipas tij sot faktet flasin ndryshe dhe se kontrolli i sigurisë mbi prodhimet bujqësore është më i fortë se kurrë më parë.

“Kjo nuk do të thotë se çfarë është thënë, qoftë për pesticidin e rrezikshëm që u kap në Shqipëri a qoftë për problematikën e vjetër të kontrollit të sigurisë së prodhimeve tona bujqësore, është një fantazi mediatike pa asnjë bazë! Jo, në asnjë mënyrë, pesticidi i rrezikshëm ishte real e po ashtu, problematika është reale. Padiskutim! Por sot, faktet thonë se kontrolli i sigurisë mbi prodhimet bujqësore është më i fortë se sa kurrë më parë dhe prodhimet problematike nuk janë rregulli, po raste përjashtimore që përforcojnë rregullin.

Thënë sa më lart, duhet nënvizuar se nevoja për modernizimin e mëtejshëm të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe rritjen e mëtejshme të efikasitetit të tij në gjithë territorin e mbi çdo produkt, është absolutisht reale dhe duhet adresuar përditë”, përfundoi Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.