Debatet për Teatrin Kombëtar

232

TIRANE, 13 qershor/ATSH/- Artistët e Teatrit Kombëtar të cilët kundërshtojnë projektin për shembjen e tij, dëshmuan kundërshtinë e tyre në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit. Në seancë nuk ishte e pranishme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjë që ka tërhequr kritikat e kryetares së komisionit, deputetes së partisë Demokratike, Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, opozita do të mbështesë çdo nisëm të artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe për rikonstruksionin e tij në mënyrë që të krijohen kushte më të mira pune për artistët.

Mbledhja e komisionit ka kaluar me dëgjesat e aktorëve të pranishëm, ndërsa në seancë mungonin edhe deputetët socialistë. Artistët Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Alert Celoaliaj, Taulanda Jupi, Robert Budina kanë dhënë mendimet e tyre për çështjen.

Në fjalën e tij, aktori Robert Ndrenika e cilësoi vjedhje këtë formë të partneritetit publik-privat në rastin e teatrit.

Artistët kanë paralajmëruar se nëse deri ditën e premte nuk do të ketë reagim për kërkesat e tyre për teatrin, ata do të ngujohen brenda tij.

Meta reagon për Teatrin

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta po ndjek me vëmendje të veçantë dhe në vijimësi shqetësimin e komunitetit të artistëve lidhur me problemin e godinës së Teatrit Kombëtar, të kthyer tashmë në një debat publik.
Presidenti i Republikës organizoi edhe një takim me një përfaqësi të artistëve kohë më parë dhe ka dëgjuar shqetësimet e sugjerimet e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme.

Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare.

Balla: Seanca për Teatrin, kundër rregullores së Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar të partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në sqarim të aktorit dhe artistit të madh, Robert Ndrenika, pasi ky i fundit në një seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit, shprehu pakënaqësinë për mungesën e deputetëve socialistë. Balla e cilëson seancën në komision, në reagimin e tij, si “një mbledhje private të kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”.

“Asnjë deputet i grupit Parlamentar Socialist nuk bojkoton Kuvendin apo komisionet. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e kishte përcaktuar mbledhjen e radhës më datë 18 Qershor me vendim të Komisionit. Por për nevoja të skenaristit të Shqup-it, që sot nuk kishin ndonjë lajm me babale, u munduan t’ju përdorin përsëri ju mish për top në teatrin e tyre të radhës”, shkruan Balla në reagimin e tij.

“Më beso i dashur Robert, nëse Ti beson se Albana Vokshi apo Lulzim Basha e kanë megjithë shpirt “luftën” për Teatrin, është njëlloj sikur të besosh që Lulzimi është Robert DeNiro dhe Albana është Julia Roberts”, përfundon Balla. /j.prifti/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.