Agroturizmi sjell më shumë fitime sesa emigracioni

153

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Gjatë drekës së punës me Kryeministrin e vendit, fermerët e zonës së Durrësit ndanë eksperiencën e tyre në ngritjen e bizneseve në fushën e agroturizmit.

Pronari i lokalit ku u drekua, tha se situata e agroturizmit në Shqipëri nuk është bardh e zi, por ka plot biznese që po punojnë për zhvillimin e turizmit. Ai vuri në dukje se këto biznese kanë nevojë për mbështetje nga ana e qeverisë.

Shefi i famshëm shqiptar i kuzhinës, Fundim Gjepali, i kthyer nga emigrimi për të punuar në Shqipëri vlerësoi nismën e Qeverisë për të mbështetur fermerët për zhvillimin e agroturizmit.

“Jetoj mes Tiranës dhe Romës, është një eksperiencë shumë e bukur me bujqit. Jemi akoma në një fazë shumë të ulët, por me një potencial aq të madh sa shumë njerëz nuk e kanë kuptuar ende. Klima e mrekullueshme dhe kjo iniciativë e qeverisë më pëlqen shumë dhe u mundova të bëhesha pjesë. Kur isha në moshën 16-vjeçare punoja në Itali në agroturizëm dhe shpresoja që në fshatin tim të lindjes të ndodhte kjo që po ndodh sot”, – tha ai.

Kryeministri Rama tha se emigrantët që kthehen dhe kontribuojnë në Shqipëri, marrin fitime më shumë se sa 5 vite në emigracion, të ardhura këto që sigurohen brenda një viti.

“Të gjithë ata që kthehen nga emigrimi dhe investojnë në shtëpinë e tyre në fshat, për agroturizëm brenda një viti fitojnë më shumë seç kanë fituar dhe kursyer brenda 5 viteve. Kjo është dalje nga varfëria dhe Shqipëria është vendi që do të ketë rritje të frikshme të turizmit. Rama i ftoi fermerët që të realizojnë projekte ku të përfshihet edhe fjetja, për t’u mbështetur nga qeveria.  Ai tha se këto biznese edhe pse do të kenë fitime të mëdha do të tatohen si biznese të vogla, pra me TVSH vetëm 6%. /z.tosku//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.