5.5 miliardë lekë për përmirësimin e furnizimit me energji në Durrës

207

TIRANE, 13 qershor/ATSH/- 5.5 miliardë lekë po investohen nga qeveria shqiptare në Durrës, përfshirë edhe zonën e Gjirit të Lalzit për përmirësimin rrënjësor të furnizimit me energji elektrike.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati bëri të ditur sot se në zonën e Gjirit të Lalzit përveç projekteve për furnizimin me ujë 24 orë dhe projektit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura, po zbatohet që nga janari i këtij viti edhe projekti për ndërtimin e nënstacionit elektrik.

“Projekti për ndërtimin e nënstacionit elektrik te Gjiri i Lalzit nisi në janar të vitit 2018 dhe pritet të përfundojë në maj të vitit 2019. Projekti kap vlerën e 458 milionë lekëve”, tha Bonati.
Ndërsa në Bashkinë e Durrësit po zbatohen një sërë projektesh për përmirësimin me energji elektrike të cilat kapin vlerën e 4 miliardë lekëve./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.