SINGAPOR – Trump: Do t’i japim fund manovrave të përbashkëta ushtarake me Seulin

188

SINGAPOR, 12 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot pas samitit me Kim Jong Un se do t’u jepte fund manovrave të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, cilësuar si shumë provokuese kundër Koresë së Veriut.

“Ndërkohë që ne po negociojmë një marrëveshje globale, shumë komplekse, besoj se nuk është e nevojshme të kesh manovra ushtarake”, theksoi presidenti amerikan në një konferencë shtypi në Singapor duke nënvizuar se kjo do të mundësonte kursimin e më shumë parave.

Ai ritheksoi gjithashtu dëshirën për të tërhequr, në momentin e duhur, ushtarët amerikanë të vendosur në Korenë e Jugut duke theksuar se kjo nuk bënte pjesë në negociatat me Phenianin.

Donald Trump nënvizoi përveç të tjerave se drejtuesi koreano-verior ishte i angazhuar, pas nënshkrimit të dokumentit të përbashkët, të shkatërronte shumë shpejt një qendër të testeve të raketave.

I pyetur për angazhimin e Koresë së Veriut në mbështetje të një denuklearizimi të plotë të gadishullit korean, që nuk merr përsipër kërkesën amerikane për një proces të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm, ai theksoi pa dhënë shumë detaje se do të kryeheshin inspektime dhe se sanksionet do të mbaheshin në fuqi për aq kohë sa kërcënimi i armëve bërthamore do të vazhdonte.

Negociatat për zbatimin e këtij teksti do të fillojnë që prej javës së ardhshme.

Disktutimet kanë qenë të ndershme, të drejtpërdrejta dhe produktive dhe Kim Jong Un do të bëjë atë që është e drejtë”, theksoi ai./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.