Rënia e papunësisë pas 22 vitesh, rekord historik

TIRANË, 12 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Rënia e papunësisë pas 22 vitesh në shifrat e  12.5 % reflekton raportin e Bankës Botërore, sipas së cilit “Shqipëria ka progresin më pozitiv në rajon për punësimin dhe uljen e papunësisë në periudhën e fundit”.

Duke iu referuar shifrave të publikuara nga INSTAT për rënien e papunësisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Durrësi se ky është një lajm pozitiv për vendin.

“Pavarësisht skepticizmit të mirëkuptueshëm në mjegullën e dendur të propagandës, apo pavarësisht faktit se jemi në kushtet kur kemi ende shumë për të bërë, kemi sfidën e madhe të forcimit të disiplinës kontraktuale mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave të ulëta, mbetet fakt rënia e papunësisë”, – tha Rama.

Ai theksoi se papunësia e regjistruar zyrtarisht dhe objektivisht nga INSTAT në masën 18.2% në vitin 2014, sot shënon rënie në 12.5 %.

“Ky është një fakt inkurajues, por nuk do të thotë se jemi të kënaqur me këtë rekord historik, sepse është një rekord brenda një historie aspak të lavdishme në vite të tëra. Por, përpjekjet tona kanë filluar të japin rezultat dhe ecuria e punësimeve që është e verifikueshme në librin e shtetit, ku regjistrohen të punësuarit me sigurime reflekton se jemi në përpjekje serioze në punësim real, brenda një kornize kushtesh shpeshherë të vështira, sidomos për familjet me të punësuar me paga më të ulëta”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.