Pacolli: Koha për kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me OKB

PRISHTINË, 12 qershor/ATSH/.- Shefi i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli deklaroi sot  se pas shpalljes së pavarësisë, Këshilli i Sigurimit duhet të shqyrtojë transformimin e UNMIK-ut në Zyrë Politike të OKB-së dhe paralelisht me këtë të ndihmojë Kosovën në realizimin e aspiratave për t’iu bashkuar komunitetit të kombeve të lira dhe paqedashëse.

Gjatë takimit me ndihmës sekretaren e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së, Bintaoi Keita, Pacolli theksoi se “formati i tanishëm i diskutimeve mbi Kosovën duhet ndryshuar dhe seancat duhet të reduktohen nga 4 në 1 apo 2 në vit. Dëshira jonë është të mos ndodhin ato fare apo të mbahen në debat të mbyllur për publikun”.

Pacolli tha se “në Europë, Serbia synon të promovojë veten si një lojtar konstruktiv, ndërsa në OKB vazhdon me politikën e saj të vjetër për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe të paraqesë një imazh të rremë se Kosova është ende një zonë konflikti”.

“Do të ishte mirë, që UNMIK-u ta zvogëlojë buxhetin, pasi nuk reflekton realitetin në terren. Ne e kuptojmë se kjo nuk është një vendim i marrë nga ju, por buxheti i UNMIK-ut nuk mund të shpenzohet për çështje që lidhen me çështjet politike, sundimin e ligjit apo fusha të tjera që mund të ndërhyjnë në kompetencën e qeverisë”, shtoi numri dy i qeverisë.

Ndërsa ndihmës sekretarja e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së, Bintaoi Keita, vlerësoi zhvillimet pozitive në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

Ajo premtoi adresimin e kërkesave nga kryediplomati kosovar Pacolli. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.