Kryemadhi takim me delegacionin kinez

TIRANË, 12 qershor/ATSH/-Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi priti sot një delegacion të Partisë Komuniste të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga Shen Beili, zëvendës-ministre e Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Gjatë këtij takimi, Kryemadhi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm midis LSI-së dhe Partisë Komuniste të Kinës.

Ndërkaq, ajo shprehu dëshirën për të realizuar projekte të rëndësishme nga Platforma e Bashkëpunimit 16+1 ndërsa vlerësoi nevojën e konkretizimit të realizimit në Shqipëri të Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor në kuadër të kësaj nisme.

Nga ana e saj, zëvendës-ministrja e Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Shen Beili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve dhe midis dy partive dhe u shpreh se vlerëson rolin e LSI-së për forcimin e këtyre marrëdhënieve. Sakaq, ajo ftoi kryetaren e LSI-së për një vizitë në Republikën Popullore të Kinës.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi shoqërohej në këtë takim nga zëvendës-kryetari i LSI-së Luan Rama, nën-kryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, kryetari i Grupit Parlamentar Petrit Vasili si dhe deputetët e LSI-së, Edmond Haxhinasto dhe Klajda Gjosha. /z.tosku/ j.p /

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.