KINË – Wang Yi: Samiti Trump-Kim fillimi i një historie të re

PEKIN, 12 qershor /ATSH-AFP/ – Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut përshëndeti sot samitin e Singaporit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un, duke bërë sërish thirrje për një denuklearizim të plotë të fqinjit të saj.

«Sot, fakti që drejtuesit më të lartë të të dy shteteve u ulën pranë njëri-tjetrit për bisedime të ekuilibruara ka një kuptim të rëndësishëm dhe shënon fillimin e një historie të re »,  u shpreh për median ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi.

”Kina përshëndet takimin dhe shpreh mbështetjen e saj”, shtoi ministri i pyetur nëse Pekini ishte lënë mënjanë nga afrimi mes Uashingtonit dhe Phenianit.

”Ky është një objektiv për të cilin ne kemi shpresuar dhe punuar”, theksoi ai.

Wang u shpreh në këtë mënyrë përpara deklaratave të bëra nga Trump dhe Kim në përfundim të takimit që u zhvillua në mëngjes në Singapor. Presidenti amerikan siguroi me këtë rast se denuklearizimi do të nisë shumë shpejt./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.