GREQI – Athina arrin një marrëveshje në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë

ATHINË, 12 qershor /ATSH-ANA-MPA/ – Greqia ka arritur një marrëveshje të mirë me fqinjin e saj Maqedoninë në çështjen prej disa dekadash në lidhje me emrin, tha sot kryeministri grek, Aleksis Cipras.

Gjatë një takimi me presidentin Prokopios Pavlopulos, Cipras tha se “kemi një marrëveshje të mirë që bashkon të gjitha kushtet e paraqitura nga pala greke. Kemi një emër të përbërë me një cilësim gjeografik për të gjithë përdoruesit”.

Megjithatë Cipras nuk e tregoi emrin që dy palët kanë rënë dakord.

Ai shtoi se “marrëveshja përfshin ndryshime që shkojnë përtej emrit, duke eleminuar çështjet për irredentizëm”.

“Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes është se trashëgimia kulturore e Maqedonisë antike greke është ruajtur”, shtoi ai.

“Pala greke do të ratifikojë marrëveshjen pasi Maqedonia të bëjë ndryshimet e nevojshme në kushtetutë”, shtoi ai. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.