Arsim profesional dinjitoz për paga të larta dhe punësim

TIRANË, 12 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Vetëm një arsim profesional dinjitoz rrit nivelin e pagave dhe punësimin.

Kështu deklaroi sot nga Durrësi, Kryeministri Edi Rama në vijim të turit të llogaridhënies publike.

“Nëse do të kishim ndërtuar një arsim profesional dinjitoz, që të kishim vajzat dhe djemtë me profesione dhe zanate dhe të gatshëm për të shkuar në punë, do të kishim rroga shumë më të mira”, tha Rama.

Po ashtu, sipas tij, “do të kishim shumë më tepër kompani vendase dhe të huaja dhe kapacitete për të kryer procese teknike që nuk i kryejmë dot tani”.

“Pse duhet pas 28 vitesh në Shqipëri që për të ndërtuar stadiumin kombëtar, shumica e saldatorëve të jenë të huaj? E njëjta gjë në një investim kolosal si TAP”, tha Rama.

Edhe pse kjo mund të duket qesharake, Rama u shpreh se “në fakt është e dhimbshme pasi nuk kemi mjaftueshëm krah pune të kualifikuar”.

“Sot ne po ecim paralel duke punësuar vazhdimisht sa më shumë njerëz, por edhe duke rritur sa më shumë kapacitetet që të kalojmë një nivel tjetër dhe të krijojmë kushte për rroga sa më të larta”, shtoi Rama.

Ai u shpreh se “kjo situatë është në fakt në të gjithë rajonin, ku kompanitë shfrytëzojnë koston e ulët të krahut të punës”.

“Rrogat në sektorin privat nuk i rrit qeveria me një vendim, por procesi i formimit profesional”, tha Rama.

Kryeministri solli edhe njëherë në vëmendje statistikat e INSTAT për uljen e papunësisë.

“Kjo nuk do të thotë se ekonomia dhe punësimi po lulëzon. Ne duhet të bëjmë shumë më tepër dhe pagat e ulëta, duhet të rriten, por rritja e pagave të ulëta nuk vjen se do qeveria me vendim, por vjen si rezultat i rritjes së kapaciteteve që ti ofron”, tha Rama.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.