Shqipëria e gatshme të ndihmojë në përballimin e krizës së refugjatëve

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ – Shqipëria do të ishte e gatshme të kontribuonte në përballimin e krizës së refugjatëve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme, mbi bazën e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, ku vende anëtare të BE-së dhe jo anëtare të BE-së, ofrojnë diçka nga vetja e tyre, në këmbim të përballimit të këtij fenomeni.

Kështu deklaroi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë dhënë të hënën për “ABC News”.

I pyetur mbi ecurinë e procesit për hapjen e negociatave me BE-në, ministri Bushati u shpreh se, “Komisioni Europian ka dhënë një rekomandim të qartë që është publikuar më 17 prill, sipas të cilit i propozon vendeve anëtare që të nisin bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë”.

Natyrisht, tha ai, ky rekomandim vjen si pasojë e një analize që Komisioni u ka bërë reformave që ka ndërmarrë Shqipëria në 18 muajt e fundit, pra që nga 2016 që Komisioni publikoi një rekomandim të kushtëzuar atëherë për Shqipërinë, duke e lidhur me zbatimin e ligjit për Vetting-un.

Sipas tij, vendet anëtare kanë një gjykim joteknik, kanë një gjykim politik. Ka vende anëtare të cilat përballen me sfida apo ekzigjenca të ndryshme të karakterit politik, ekonomik, social, besoj të gjithë po e ndjekin çfarë po ndodh edhe me anijen në Mesdhe dhe debatet që ekzistojnë midis vendeve të ndryshme, që deri dje, si pjesë e Mesdheut, kanë pasur një qasje unike për sa i përket çështjeve të migracionit.

“Pra ka në vende të ndryshme të BE-së një dinamikë tjetër e cila nuk ka lidhje domosdoshmërish me situatën në Shqipëri apo në Maqedoni meqenëse iu referuat. Shpresa jonë është që të ketë një vendim dhe një kalendar apo perspektivë të qartë, përsa i përket fillimit të  bisedimeve për anëtarësim”, – deklaroi Bushati.

Ministri u shpreh se, procesi i komunikimit me vendet anëtare ka filluar që në nisje të 2018, vështirë të gjendet një kryeqytet sot për sot, i cili të mos jetë shkelur dhe me vendet kyçe, të cilët kanë një peshë specifike në procesin e vendimmarrjes brenda Bashkimit Europian ne kemi bërë një punë edhe më kapilare.

“Vetëm periudhën e fundit dua t’ju kujtoj takimet e Kryeministrit Rama, qoftë me Kancelaren Merkel në Berlin, me Presidentin Macron në Paris, me Kancelarin austriak Kurz apo takimet që u zhvilluan edhe në Samitin e Sofjes thuajse me të gjithë aktorët që kanë një zë, përsa i përket vendimmarrjes për Shqipërinë”, – tha Bushati.

Ndërsa nënvizoi faktin se puna do të vazhdojë deri ditën e fundit.

“Besohet që nuk do të ketë diskutime të lehta përsa i përket dosjes së zgjerimit, duke marrë parasysh kontekstin në të cilin operon sot për sot Bashkimi Europian, por nga ana tjetër besojmë që do të kemi një vendim të drejtë dhe shpresojmë që një vendim i drejtë do të pasohet edhe me një kalendar konkret për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, siç ka ndodhur në fakt edhe me rastin e Malit të Zi apo Serbisë para pak vitesh”, – tha ai.

I pyetur mbi bisedimet me Greqinë, ministri Bushati tha se “… bisedimet kanë hyrë në një fazë edhe më intensive, sidomos pas dhënies së autorizimit nga ana Presidentit të Republikës dhe lëshimit të plotfuqishmërisë nga ana ime për ekipin që është në tryezën për anëtarësim”.

Për sa i përket marrëveshjes, tha ai, që ne shpresojmë të arrijmë me palën greke për kufizimin e zonave detare, kam parasysh detin territorial, zonën ekonomike dhe shtratin kontinental, sikundër vazhdon puna paralelisht edhe me çështjet e tjera të asaj që ne e kemi konsideruar si paketa e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kujtoj këtu çështjen e gërmimeve në vendprehjet për ushtarët grekë, çështjen e heqjes së rezervës apostile, që i kursen bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Greqi një shumë të konsiderueshme parash, rreth 4-5 milionë euro vit; kujtoj këtu firmosjen e marrëveshjes për njohjen e ndërsjelltë për patentat dhe jemi duke punuar dhe për dy marrëveshje të tjera, qoftë për marrëveshjen për incidentet kufitare, krahas marrëveshjes për përcaktimin apo kufizimin, siç quhet ndryshe, të zonave detare, u shpreh Bushati. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.