Komisioni i Ligjeve, Alibeaj: Opozita mbështet hapjen e negociatave

TIRANË, 11 qershor /ATSH- I. Vata/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e  Njeriut ka nisur me debat mes përfaqësuesve të opozitës dhe të mazhorancës.

Zëvendës-kryetari i komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj theksoi se opozita është e vendosur qartë, pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Duke folur në komisionin e Ligjeve, zëvendës-kryetari, Alibeaj tha se: “Angazhimi ynë i opozitës është bërë i qartë shumë kohë më parë. Kjo opozitë është e vendosur qartazi dhe në mënyrë konsistente në dhënien e kontributit për çeljen e negociatave si një lloj vlerësimi që duhet ta miratojë historia politike këtij vendi” .

“Fatkeqësisht, ne jemi shumë të qartë në pozicionin tonë politik, ky vend e meriton çeljen e negociatave jo thjesht se ka arritje, por për arsye tjetër, si e si që një dorë tjetër e fortë e sinqertë institucionale t’ia mbyllë një orë e më parë arbitraritetin këtij kryeministri. Mundësisht, delegjitimimin e tij, largimin një orë e më parë”, tha deputeti Alibeaj.

Mjeti kryesor që duhet të na udhëheqë, tha Alibeaj, është inspirimi europian i opozitës. Ai dha alarmin dhe për Gjykatën Kushtetuese.

“Ne besojmë që inspirimi europian i opozitës dhe gjithë shqiptarëve do të duhet të jetë mjeti i vetëm kryesor që do të duhet të na udhëheqë. Nuk ka nevojë më të madhe tashmë për Shqipërinë e shqiptarët, për të shkuarën e sidomos për të ardhmen, për të gjetur aleatë besnikë fanatikë që ia duan të mirën këtij vendi për të larguar të keqen më të madhe, kryeministrin Edi Rama që në axhendën e vet nuk e ka këtë gjë. Ka vetëm një axhendë, ruajtjen e karrikes së vet me çdo mjet, mënyrë e pazar”, vijon Alibeaj.

Qeveritë vijnë e ikin, parlamentet vijnë e ikin, por sistemi i drejtësisë është ai që duhet të rrijë, thotë Alibeaj, por sipas tij, ai u shkatërrua i pari, referuar situatës aktuale në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ndërhyri duke kërkuar miratimin e kalendarit të Komisionit të Ligjeve. “Pretendimet tuaja duhet të ishin ngritur në seancë plenare. Në bazë të nenit 29, kërkoj ta hedhim në votim miratimin e kalendarit të komisionit”, tha Manja.

Për procedurë, deputetja e PS-së Vasilika Hysi tha se duhet të respektojmë kalendarin e saktë të komisionit të Ligjeve që adreson katër çështje të rëndësishme dhe janë kryesore.

“Vazhdimin e reformës në drejtësi, problemet që lidhen me monitorimin e institucioneve të pavarura që është Avokati i Popullit dhe Komisioneri për mos Diskriminim, Ligji i rëndësishëm që mbron gratë dhe vajzat nga dhuna në familje dhe e fundmit llogari-dhënia që duhet të japë qeveria lidhur me zbatimin e politikës penale. Të gjitha janë pjesë e kalendarit dhe duhet t’ja bëjmë të qartë publikut dhe të jetë pjesë e procesit të vendimmarrjes”, tha Hysi.

Hysi theksoi se agjenda  e Komisionit të Ligjeve ka të bëjë me reformën në drejtësi e që lidhet edhe me 28 qershorin.

“E dyta do të kërkoja të zbatohet kodi  i etikës dhe i komunikimit. E treta, do të doja në kuadër të procedurës parlamentare që këtë kalendar që ka çështje të rëndësishmë, siç është ligji për avokatinë, ligji për Policinë Gjyqësore, ligji për ndryshimet në ligjin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por dhe meqënëse kemi ligjin për shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin e dhunës në marrëdhëniet familjare të ftojmë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të bëhen pjesë, si dhe ftojë edhe kolegët e opozitës sepse këto janë ligje të reformës në drejtësi, që lidhen edhe me 28 qershorin të vijnë dhe të diskutojmë së bashku për miratimin e tyre”, tha Hysi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.