Kryeministri Rama përkujton 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ – 140 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është përkujtuar nga Kryeministri, Edi Rama.

Reagimi për 140 vjetorin e krijimit të Lidhjes së Prizrenit ka ardhur në rrjetet sociale, ku Kryeministri shkruan se “sot përkujtojmë 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, mesazhi i së cilës kumbon i thjeshtë por domethënës, dje, sot e përgjithmonë: asnjëherë virtuti dhe aq më pak fati e kanë braktisur një Shqipëri të përbashkuar.

Kjo ditë na kujton gjithashtu se po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të Vitit të Skënderbeut, arritjet pa zhurmë dhe eventet unike të të cilit po zhvillohen anembanë kombit shqiptar në trojet e tij stërgjyshore dhe në diasporë. Ju uroj një të dielë të qetë në meditim të mesazheve madhore të tij dhe një kredhje në informacionin e bollshëm multimedial të faqes në internet të Vitit tonë mbarëkombëtar”, thekoi Rama.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar. Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.