Fluks në rritje i turistëve, mbi 8100 vizitorë në Apoloni

TIRANË, 10 qershor/ATSH-Maela Marini/.- Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 8100 turistë vetëm gjatë muajit maj, prej të cilëve rreth 3500 janë të huaj.

Në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj shprehet se, “fluksi i vizitorëve në Parkun Arkeologjik të Apolonisë është në rritje”.

Krahasuar me majin 2017 kur Apoloninë e vizituan vetëm 2900 turistë, statistikat e muajit që lamë pas janë mjaft optimiste, duke shënuar edhe rritje të të ardhurave për këtë park.

Po ashtu, sipas Dyrmishaj, në rritje është edhe numri i turistëve të huaj që vizitojnë këtë park, ndërsa gjeografia e tyre po zgjerohet nga dita në ditë.

“Shumica e turistëve të huaj janë gjermanë, italianë dhe francezë, por kanë filluar edhe turet nga grupet izraelite”, tha Dyrmishaj për ATSH-në.

Interesi i të huajve, sipas saj, është jo vetëm për Apoloninë, por për gjithë Shqipërinë, si një vend mesdhetar ende për t’u zbuluar.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.