Sistemi i pastruar i Drejtësisë, veting edhe për politikanët

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Sistemi i pastruar i Drejtësisë do të merret me të gjithë politikanët, gjykatësit, prokurorët dhe biznesmenët si të barabartë para ligjit.

Në vijim të turit të llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama u takua me banorë të Lushnjes.

Duke u ndalur te ankesat që vijnë në portalin e bashkëqeverisjes, Rama tha se një pjesë e tyre lidhen me procese gjyqësore, ndaj qeveria nuk mund të ndërhyjë.

“Me të drejtë njerëzit janë shpeshherë të acaruar sepse zvarriten dhe nuk e gjejnë të drejtën, ndaj ne synojmë të bëjmë reformën në Drejtësi një realitet për të pastruar sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”, tha Rama.

Ai theksoi se nga procesi i Vetingut që po kryhet po dalin individë me një peshë të rëndësishme në sistem dhe një pjesë përjashtohen nga sistemi sepse nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara.

“Për ata që nuk justifikojnë pasuritë dhe janë përjashtuar nga detyra vlen shprehja: ‘dardha e ka bishtin mbrapa'”, tha Rama, duke shtuar se “sistemi i pastruar i Drejtësisë do të merret me të gjithë.

Kjo, tha ai, do të kërkojë kohën e vet, pasi ne trashëguam një peshë shumë të rëndë në këtë aspekt.

“Padurimi i njerëzve është i kuptueshëm se kanë mbi 20 vite që presin të kenë gjykata që nuk u shkelin të drejtat dhe nuk u kërkojnë para”, tha Rama.

Por, kryeministri theksoi se “mjafton të mendosh si do të ishim sot, nëse këto reforma që ne kemi nisur apo po bëjmë do ishin nisur 20 vite më parë. “Ne do të kishim një Shqipëri tjetër. Por sot, ne kemi në dorë t’i çojmë reformat deri në fund për fëmijët e sotëm të vendit, sepse gjenerata e sotme e 25 -27 vjeçarëve pagoi një çmimin shumë të rëndë për reformat e munguara duke nisur nga Arsimi te Drejtësia”, shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.