Kalaja e Gjirokastrës atraksioni më i veçantë turistik, mirëpret 10 mijë vizitorë

839

TIRANË,9 qershor /ATSH-A.ALLA / – Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të mbetet atraksioni më i veçantë turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ajo ka mirëpritur 10.000 vizitorë për periudhën janar – maj 2018, nga 4700 vizitorë që kishte për periudhën janar – maj 2017.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968-t skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do te priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut ne kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.