Fondi për komunitetet, projektet që do të financohen

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ – Nëpërmjet një skeme fondesh të vëna në dispozicion nga bashkia e Tiranës, banorët e lagjeve mund të organizohen së bashku, nën udhëheqjen e administratorit të pallatit, për të përfituar financim për projekte infrastrukturore, ose një problem të caktuar në komunitetin e tyre.

Erindi Bejko, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi pranë bashkisë së Tiranës, ka thënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se aktualisht janë 7 projekte fituese, ndërsa aplikimet janë ende të hapura.

Deri tani ne kemi nxjerrë fitues 7 projekte vetëm për këtë vit dhe nuk bëhet falje për një pallat, por për bllok pallatesh. Vihet re një interesim i jashtëzakonshëm për ndërtesat para vitit 1991, por edhe atyre të pas vitit 1991. Ajo çka është e rëndësishme për këto projekte, nuk është vetëm pjesa estetike e pallatit, pra që pallati nga një karakatinë e vjetër të duket si një pallat i ri, por është pjesa e eficencës së energjisë. Aplikimet janë akoma të hapura, fondet e këtij viti janë dyfishuar, po kështu edhe kërkesat, por hapësira ka ende, me qëllim që të operojmë më shpejt me pjesën e dokumenteve dhe të fillojë puna”, – ka shpjeguar Bejko.

Më tej, ai ka dhënë detaje edhe për projektet dhe zonat në të cilat do të ndërhyhet në kryeqytet.

“Kemi projekte në njësinë 5, në njësinë 4, në njësinë 3, në Allias për pak ditë inaugurojmë dy pallate të reja. Jemi në drejtimin e duhur përsa i përket fondit për komunitetin. Po fusim në Tiranë për herë të parë një kulturë të re, atë të mirëmbajtjes si dhe të investimit 50 me 50”, – shtoi ai.

Por, cilat janë projektet që kanë përparësi për komunitetet që ende nuk kanë aplikuar?

Sipas Bejkos, projektet që kanë përparësi janë projekte që kanë të përfshirë: problemin e izolimit të taracave, projekte që përfshijnë rregullimin e territorit dhe pranë pallatit, ndërsa  fokusi kryesor mbetet eficenca e energjisë.

Ky program kontribuon në ndërgjegjësimin e komuniteteve përmes administratorëve, duke i dhënë më shumë përgjegjësi menaxhimit të fondeve dhe mirëmbajtjes së ambienteve të përbashkëta. Po kështu, përmes këtij programi synohet ndryshimi i mentalitetit të bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve publike. /z.tosku/ /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.