UNESCO vlerëson Shqipërinë, model për t’u ndjekur në rajon

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ – UNESCO jo vetëm ka vlerësuar modelin shqiptar të zhvillimit në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj monumenteve të kulturës, por bën apel që rajoni të ndjekë shembullin e Shqipërisë.

Kështu u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay në takimin e zhvilluar me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro në Paris.

Duke vlerësuar punën dhe rezultatet e vendit tonë, Azoulay ka theksuar se këto të fundit kanë ardhur si pasojë e politikave të qarta të ndërmarra për trashëgiminë kulturore, çka sipas saj po ndikon në zhvillimin e turizmit.

”Vlerësojmë shkëlqyeshëm punën dhe rezultatet e Shqipërisë në mbrojtjen, konservimin, restaurimin dhe sensibilizimin e trashëgimisë, me synimin e qartë për t’i dhënë zhvillim turizmit kulturor, përmes politikave të qarta në trashëgiminë kulturore. UNESCO vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit duke theksuar se ai duhet treguar për të gjithë rajonin”, – u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Nga ana e saj, Kumbaro shprehu mbështetjen e Qeverisë për vizionin e ri për Transformimin Strategjik të UNESCO-s, dhe falenderoi organizatën për bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo diskutoi me Azoulay për rrugët dhe mjetet për ta shtrirë më tej këtë bashkëpunim.

Azoulay shprehu mbështetjen e organizatës për programet e edukimit në art dhe trashëgimi, që po zbaton Shqipëria, duke vënë theksin se “Rinia dhe Kultura janë shtyllat e rëndësishme të organizatës së UNESCO-s”.

Gjithashtu, ajo prezantoi punën e trashëgimisë në sitet botërore të mbrojtura nga UNESCO në Shqipëri, Butrint, Berat dhe Gjirokastër, duke vënë theksin në angazhimin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës për të bërë bashkë ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin ekonomik.

“Hapat e Shqipërisë në këtë drejtim janë të dukshme, mjaft të shohim sukesin e Rilindjes Urbane, shifrat e vizitorëve, vendas dhe të huaj, shtimin e strukturave akomoduese në qendrat e trashëgimisë kulturore, për të kuptuar se synimi i kësaj qeverie është politika e bashkëpunimit mes shtetit, privatit dhe partnerëve tanë të rëndësishëm si Banka Botërore, Bashkimi Europian, apo Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit”, – tha Kumbaro.

Në takimin me Azoulay, ministrja Kumbaro preku edhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ne mbështesim kontributin kulturor të Kosovës, krahas të gjitha vendeve të tjera, në UNESCO, si në një familje të madhe kulturore, ku secili është pjesë e mozaikut të kësaj hapësire pa kufi, ku sidomos të rinjtë duhet të jenë prioritet”, – theksoi Kumbaro.

Ajo ftoi drejtoreshën e UNESCO-s Azoulay për vizitë në Shqipëri me rastin e një konference të nivelit të lartë në festimet e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatë.

Kumbaro prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO, dhe gatishmërinë e saj, për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s.

Ajo theksoi se do të ishte në nderin e Organizatës që të angazhojë një grua dhe një artiste të këtij niveli për të punuar e ndikuar që kultura të mbetet urë komunikimi mes të rinjve në mbarë botën dhe të luajë rolin që i takon në paqen dhe emancipimin e shoqërive në botë.

Në ditët e qëndrimit në Paris, Kumbaro zhvilloi një takim pune me Metchtild Rossler, Drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, ku u diskutua për zhvillimet pozitive në fushën e trashëgimisë në dy qytetet: Gjirokastër dhe Berat dhe në Parkun e Butrintit.

Rossler vlerësoi hapat në zhvillim të Shqipërisë, që shënuan suksesshëm me miratimin e ligjit për trashëgiminë dhe muzetë, hapat pozitive në ndërtimin e katër muzeve të rinj bashkëkohorë, si dhe strategjinë për të sensibilizuar të gjithë aktorët shoqërorë për rëndësinë e trashëgimisë përmes programeve të edukimit dhe partneriteteve me pushtetin vendor dhe sektorin privat.

Divizioni i Trashëgimisë Botërore në UNESCO shprehu vlerësime pozitive për Gjirokastrën, Butrintin, dosjen e Liqenit të Ohrit dhe kërkoi nga pala shqiptare të punojnë së bashku për të shtuar të tjera site në trashëgiminë botërore, ku u diskutua ndër të tjera për Apolloninë, por edhe për elementë të trashëgimisë kulturore jomateriale. /a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.