SHBA – Trump: Rusia duhet të rikthehet në G7

294

UASHINGTON, 8 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar që Rusia të kthehet në grupin e kombeve më të industrializuara, që njihet si G7, pasi u përjashtua për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Trump i bëri këto deklarata në Uashington ndërkohë që po nisej për në samitin e G7-ës në Kanada, që pritet të fokuesohet në bisedime të tensionuara mbi tregtinë. Aleatët e SHBA-së do të përpiqen të bindin Trump të heqë tarifat mbi çelikun dhe aluminin të vendosur kohët e fundit, që mund të sjellë një luftë tregtare.

“Rusia duhet të jetë në këtë takim. Përse po zhvillojmë një takim pa Rusinë të pranishme?”, thotë Trump.

“Duhet të kemi Rusinë në tavolinën e negociatave”, vazhdoi ai.

Vetë Trump rrezikon të jetë i izoluar në këtë samit dhe pritet të largohet më herët për në Singapor për përgatitjen e bisedimeve me Korenë e Veriut në lidhje me armët e saj bërthamore. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.