Projekti i BERZH për hekurudhën shqiptare fiton çmimin “Projekti më i mirë hekurudhor në 2017”

472

Vlerësimi u dha nga “EMEA Finance”, Çmimet për Financimin e Projekteve

TIRANË, 8 qershor /ATSH/- Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës fiton çmimin e “EMEA Finance” si “Projekti më i mirë hekurudhor në 2017” në kategorinë e Financimit të Projekteve. Huaja sovrane e BERZH prej 36.87 milionë euro mbështetet nga një grant investimi prej 35.4 milionë euro i Platformës të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).  Projekti mbështet kalimin nga transporti rrugor në atë hekurudhor i cili ka një nivel më të ulët ndotjeje karboni.

Një projekt i BERZH që mbështet rehabilitimin e linjës hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit dhe ndërtimin e një lidhjeje të re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është vlerësuar si “Projekti më i mirë hekurudhor për 2017” nga komisioni i Çmimeve për Financimin e Projekteve në 2017 të “EMEA Finance”. Çmimet u ndanë në Londër në 6 qershor 2018 dhe janë një ngjarje e shënuar në kalendarin global të financimeve të projekteve.

Mbështetja e BERZH për përmirësimin e linjës hekurudhore përfshin një hua sovrane prej 36.87 milionë euro, nënshkruar në vitin 2016 për të bashkëfinancuar punimet për rehabilitimin e 34.7 km linjë hekurudhore midis Tiranës dhe qytetit të Durrësit dhe ndërtimin e një degëzimi hekurudhor prej 7,4 km që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Në maj 2018, huaja e Bankës u plotësua nga një grant prej 35.4 milionë euro nga Bashkimi Europian përmes Platformës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Projekti është pjesë e Rrugës 2 (Route 2) të Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perëndimor që lidh qytetet e Podgoricës në Malin e Zi dhe Vlorës në Shqipëri.

Investimet e përgjithshme të BERZH në Shqipëri vlerësohen të jenë rreth 1 miliard euro në më shumë se 80 projekte. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.