Kori “Siparantum” i qytetit të Pejës koncert në Kroaci

PRISHTINË, 8 Qershor/ATSH/.- Kori i qytetit të Pejës do të jetë pjesë e tre koncerteve të rëndësishme korale, që do të mbahen në Zagreb, Kroaci nga data 9-11 qershor 2018.

Kori do të jetë pjesë e koncerttit “7. međunarodnog memorijala Emil Cossetto 2018” që  mbahet me 9 qershor 2018, në sallën e njohur “Hrvatski Glazbeni Zavod”.  Në këtë program, kori Siparantum do të paraqitet në mesin e gjashtë koreve të njohura kroate.

Koncerti i dytë mbahet me 10 qershor në “Mimara Museum” – Zagreb, në organizim të Universitetit të Zagrebit – Universitas Cantat dhe korit “Emil Cossetto”.

“Po vazhdon të ruhet dhe zhvillohet bashkëpunimi ynë i sinqertë me dirigjentin e njohur maestro Josip Degl’ Ivellio me të cilin tash e tre vite kemi bashkëpunime të pandërprera, dhe ja që rezultatet nuk po mungojnë”, u shpreh dirigjenti i korit, Memli Kelmendi.

Përveç këtyre dy koncerteve të rëndësishme kori do të jetë  pjesëmarrës në aktivitetin kulturor (Dan nacionalnih manjina grada Zagreba – Dita e pakicave kombëtare të Zagrebit) që mbahet në parkun Parkun Zrinjevac më 9 qershor , ku do të bëhet hapja solemne, që fillon me shqiptarët dhe do të përfaqësohet me korin ” SIPARANTUM CHOIR” nga Peja.

Në program do të interpretohen vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë. Kujtojmë se kori Siparantum muajin e kaluar ka qenë pjesë e festivalit të koreve botërore “Nanxy Voix Du Monde” që është mbajtur në Nancy të Francës, ku Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.