Intensifikim dhe promovim i raporteve bilaterale me Shtetin e Vatikanit

TIRANË, 8 Qershor/ATSH/ -Bashkëpunimi me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, intensifikon dhe promovon raportet bilaterale.

E Ngarkuara me Punë në Shtetin e Vatikanit, Majlinda Dodaj, mori pjesë në takimin tradicional organizuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, me iniciativë të Sekretarit të Shtetit Kardinalit Pietro Parolin, i cili këtë vit konsistoi në vizitën në katakombet e Shën Sebastianit, e më tej në pritjen pranë Bazilikës së Shën Sebastianit.

Kjo pritje krijoj mundësinë e takimit dhe bisedimeve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë me të gjithë autoritetet e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Ndër të tjera, Dodaj pati mundësinë të takojë dhe bisedojë me Sekretarin e Shtetit Kardinali Pietro Parolin, Hirësinë e Tij Kardinal Gianfranco Ravasi President i Këshillit Papnor për Kulturën, me Imzot Paul Richard Gallagher Sekretar për Raportet me Shtetet, Imzot Jozeph Murpy Shefi i Protokollit i Sekretarisë së Shtetit, Imzot Giovanni Gasparri Drejtori për Ballkanin në Sekretarinë e Shtetit, Imzot Antoine Camilleri Nën-Sekretar për Raportet me Shtetet, Imzot George Gansëain Prefekt i Shtëpisë Papnore etj.

Dodaj, më tej pati mundësinë të bisedojë dhe me arbëreshin Imzot Ignazio Cefalia, bisedë e cila u zhvillua në gjuhën shqipe.

Kardinali Gianfranco Ravasi bëri një përshkrim se ç’ka katakombet simbolizojnë: ” Është dëshmia e fesë së krishterëve të parë të Romës, vuajtjet e tyre, shpresat e tyre”.

Autoritetet e Sekretarisë së Shtetit falenderuan Trupin Diplomatik për pjesëmarrjen dhe për bashkëpunimin me Sekretarinë e Shtetit dhe dikasteret e tjera të Kurias Romake, bashkëpunim i cili intensifikon dhe promovon raportet bilaterale.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.